Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar shembjen e një ndërtese dykatëshe në qytetin turistik Porto Sant’Elpidio në Itali, duke lënë një person të vdekur dhe disa të plagosur, përfshirë edhe një fëmijë.
Sipas raportimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur një shpërthim i dyshuar si pasojë e rrjedhjes së gazit ka shkatërruar plotësisht ndërtesën ku jetonin dy familje.
Zjarrfikësit kanë bërë të ditur se nga rrënojat është nxjerrë trupi i pajetë i një burri rreth 55 vjeç, ndërsa prindërit e tij të moshuar janë mes të plagosurve dhe janë dërguar në spitale të ndryshme për trajtim urgjent.
Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë gjithashtu të gjallë një fëmijë dhe një grua, ndërsa një tjetër grua raportohet e zhdukur dhe kërkimet për të vazhdojnë me intensitet të lartë.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar zjarrfikës, dronë, qen nuhatës dhe makineri të rënda, ndërsa banorët e ndërtesave përreth janë evakuuar për arsye sigurie.
Autoritetet italiane kanë hapur hetim për të zbardhur shkaqet e sakta të shpërthimit, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në zonë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!