image Shefi i shkarkuar i Antidrogës emërohet mbikëqyrës në Krime Ekonomike, shoqërohej me të dyshuarin për shitblerje të drogës

Siguri

Shefi i shkarkuar i Antidrogës emërohet mbikëqyrës në Krime Ekonomike, shoqërohej me të dyshuarin për shitblerje të drogës

news image

Ish-shefi i Antidrogës në Prizren, Enver Bujari, është emëruar në pozitë të re, merr vesh Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, rreshteri Bujari i cili nga koha e shkarkimit e deri më tash shërbente si mbikëqyrës në Njësinë Reaguese në stacionin Policor në Prizren, ka marrë pozitën si mbikëqyrës në Departamentin e Krimeve Ekonomike.

Ai është i njohur për shoqërinë e tij me të dyshuarin për shitblerje të drogës, Shkodran Pulaj, i cili u arrestua shtatorin e vitit të shkuar pas një aksioni të Antidrogës në Prizren.

Miqësia e tij me Bujarin, siç duket e kishte shpëtuar për një kohë nga arrestimi e hetimi për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prizren dy javë më parë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve në aksionin e 4 shtatorit në Prizren, Shkodran Pulaj, Xhevahir Koqina, Muharrem Pulaj dhe Flamur Shala.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, tha se të dyshuarve u është vazhduar paraburgimi edhe për një muaj tjetër, deri më 4 shkurt 2024.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/