Rritja ekonomike këtë vit mund të jetë nga 2 deri në 3 për qind, thotë udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtarë Gabriel Di Bella.
Sipas tij rritja ekonomike për vitin e ardhshëm mund të shkojë deri në 4 për qind.
“Ka të dhëna dhe janë preliminare dhe ASK i rishikon ato. Në tre mujorin e parë e paraqesin një rritje prej 3.4 për qind dhe në tre mujorin e dytë janë 2.3 për qind. Për të qenë real, ne parashikojmë një rritje prej 2-3 për qind deri në fund të vitit”, tha Di Bella.
Më tej shefi i misionit të FMN-së theksoi se mund të ketë një rritje të implementimit të investimeve që mund ta rrisin këtë përqindje, por duhet të presin deri në fund të vitit për ta parë këtë rritje. Për këtë vit është 2-3 për qind ndërsa në vitin e ardhshëm 3-4.
Di Bella, përmendi edhe rritjen e nivelit të inflacionit, për çka tha se e ka ndikuar lufta në Ukrainë.
“Nuk është befasi që lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë të vështirë për Evropën dhe Kosova nuk bën përjashtim nga kjo dhe si pasojë e luftës janë rritur çmimet, prandaj ka edhe Kosova inflacion. Qeveria ka marrë disa vendime që kanë pasur synim zbutjen e kësaj tronditjeje”, tha Di Bella.
Udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtarë, theksoi se kur japin parashikime, janë në këtë mjedis kur ka rreziqe, është e vështirë të parashikohet saktë. Ajo që parashikohet të ndodh, është ulja e çmimeve dhe me këtë rast Kosova do të përfitojë gjallërim ekonomik.
“Tani poenta është se çfarë do të ndodhet nëse çmimet e energjisë rriten, natyrisht këto tronditje e bëjnë të ardhmen më të zbehtë”, tha Di Bella.
Derisa sa i përket Ligjit të Pagave ai sugjeroi që të ketë nivelizim të pagave dhe të mos cenohet sistemi i drejtësisë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transferve Hekuran Murati theksoi se ka një ngadalësim të normës ekonomike. Por shtoi se për vitin e ardhshëm presin një rritje ekonomike 5.5 për qind.
Sa i përket tërheqjeve të mjeteve të Trustit, ministri Murati sërish është shprehur kundër.