Ambasada e SHBA-ve në Kosovë e ka mirëpritur shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës si hap tutje drejt krijimit të një qeverie të re.
Përmes një reagimi, ambasada amerikane ka ftuar kandidatët për kryeministër që të ofrojnë ide të reja mbi bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, shkruan Sinjali.
“Kuvendi ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qeverie të re. Një fushatë në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja mbi bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik do të siguronin që Kosova të mos humbasë edhe më shumë kohë në ndërtimin e një themeli për të ardhmen”, thuhet në reagim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, kanë votuar sot mocionin për shpërndarjen e Kuvendit, e cila i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme. /Sinjali