image ShBA sjell dy gjigantët e ajrit në Ballkan, mister me nëndetësen ruse në Mesdhe

Botë

ShBA sjell dy gjigantët e ajrit në Ballkan, mister me nëndetësen ruse në Mesdhe

news image

SHBA ka rritur ndjeshëm prezencën e tyre në Evropë dhe rajonin tonë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Përveç dronëve që patrullojnë vazhdimisht në qiejt e shteteve pranë Ukrainës, SHBA-të kanë vënë tashmë në lëvizje edhe gjigantët B-52, të cilët janë të pozicionuar në bazën e tyre të Fairfordit në Britaninë e Madhe dhe herë pas here bëjnë patrullime në Europë.

Kësaj radhe, ShBA kanë nisur jo një, por dy bombardues strategjikë B-52 për në rajonin tonë. Mediat italiane raportojnë se dy bombarduesit u nisën nga Britania e Madhe në drejtim të Ballkanit.

Bombarduesit amerikan patrulluan gjatë në lindje të Mesdheut përballë bazës ruse të Tartusit.

Gjithçka ndodh teksa në zonë ndodhen tre anije ushtarake ruse, të cilat dolën nga baza për të balancuar prezencën e aeroplanmbajtëses amerikane “USS Ronald Reagan” si edhe ajo franceze “Charles de Gaulle”.

Po ashtu, raportohet se në zonë ndodhet edhe një nëndetëse ruse e klasit “Kilo”, e cila qendron në sipërfaqe.

Prezenca e një anijeje tjetër ruse që merret me riparimin e nëndetëseve në det bën ekspertët që të dyshojnë se ajo ka një defekt dhe një fakt i tillë përballë fuqisë së madhe të NATO-s që ndodhet në rajon përbën një rrezik të madh për rusët, të cilët po hasin humbje të mëdha në Ukrainë, shkruan abcnews.

Pas misionit të tyre në Mesdhe, dy bombarduesit amerikanë janë rikthyer në Britaninë e Madhe duke fluturuar mbi detin Jon.

/GazetaSinjali/