Autoritetet amerikane thanë se aktorët rusë qëndrojnë prapa një video të rreme që ka qarkulluar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqej grisja e votave me postë për kandidatin republikan dhe ish-presidentin, Donald Trump, në shtetin e Pensilvanisë, para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
Videoja, që kishte miliona shikime në platforma sikurse X, u shfaq në rrjetet sociale më 24 tetor, duke treguar një person që kontrollonte fletëvotimet në qarkun Bucks të Pensilvanisë dhe griste votat për Trumpin.
Burri, i cili ishte me ngjyrë, dukej se po griste fletëvotimet që ishin për kandidatin republikan, ndërkaq linte të paprekura fletëvotimet për nënpresidente demokrate, Kamala Harris, e cila është person me ngjyrë.
“Komuniteti i inteligjencës vlerëson se aktorët rusë kanë prodhuar këtë video që në mënyrë të rreme shfaq një person duke grisur votat në Pensilvani, bazuar në të dhënat që ka pasur qasje komuniteti i inteligjencës dhe aktiviteteve paraprake të aktorëve të tjerë me ndikim rusë, përfshirë video dhe aktivitete të tjera të dezinformimit”, thanë përmes një deklarate të përbashkët Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Byroja Federale e Hetimit dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës.
Në deklaratë u tha se brenda tre orësh autoritetet lokale përgënjeshtruan këtë video, pasi qytetarët e raportuan atë para autoriteteve.
“Ky aktivitet rus është pjesë e përpjekjes më të gjerë të Moskës për të ngritur dyshime të paqëndrueshme lidhur me integritetin e zgjedhjeve amerikane dhe për të nxitur ndarje në mesin e amerikanëve”, u tha në deklaratë.
Analistët që monitorojnë fushatat e ndikimit të huaj të Moskës më herët kishin lidhur këtë video me një grup propagandues rus të njohur si Storm-1516 apo CopyCop, raporton REL.
Vëzhguesit thanë se Storm-1516, që më herët kishte publikuar disa video me përmbajtje të rreme lidhur me kandidatin e Harrisit për nënpresident, Tim Walz, është një degë e Agjencisë së Kërkimeve në Internet, një ish-rrjet propagandistik rus, me bazë në Shën Petersburg, që ishte themeluar nga Yevgeny Prigozhin, lideri i ndjerë i grupit mercenar rus, Wagner.
Komuniteti amerikan i inteligjencës paralajmëroi se para zgjedhjeve të 5 nëntorit mund të shfaqen edhe më shumë dezinformata dhe propagandë të orkestruara nga Rusia.