Shtetet e Bashkuara janë shprehur thellësisht të shqetësuara nga moscertifikimi i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë është shprehur e shqetësuar se ky veprim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të dëmtojë zgjedhjet e lira.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të moscertifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësishtë duhet të kufizohen në zbatimin e standardeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së.
Në reagim thuhet se veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor.
“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor”, thuhet tutje në reagim.
Po ashtu Ambasada e SHBA-së vlerëson se përgjegjësit duhet të mesin rreptësishtë vetëm në procedura ligjore, e jo në shqyrtime politike.
”KQZ-ja luan rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e zhvillimit të zgjedhjeve dhe për të siguruar që ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Përgjegjësitë e tij duhet të mbesin rreptësishtë vetëm në procedurat ligjore, e jo në shqyrtimet politike”, thuhet në reagim.
Ambasada Amerikane u ka bërë thirrje palëve që kanë probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar. Është thelbësore që votuesit e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”, është thënë në reagim.