Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ushtarake ndaj Iranit, në një përshkallëzim të ri të tensioneve mes dy vendeve.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se operacioni është zhvilluar me urdhër të presidentit amerikan, Donald Trump, me synim dobësimin e kapaciteteve të Iranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Sulmet erdhën pak pasi mediat iraniane raportuan shpërthime në zonat jugore të vendit, përfshirë Bandar Abbas dhe Sirik.
Presidenti Trump kishte paralajmëruar më herët gjatë ditës, në Samitin e NATO-s në Turqi, se Uashingtoni do të ndërmerrte sulme të reja ndaj Iranit, pas operacionit të zhvilluar një natë më parë.
Sipas autoriteteve amerikane, ndërhyrja ushtarake është përgjigje ndaj sulmeve të fundit ndaj tre anijeve tregtare që po lundronin në Ngushticën e Hormuzit.
Anijet e përfshira në incident janë cisterna M/T Al Rekayyat, me flamur të Ishujve Marshall, M/T Wedyan, me flamur saudit, si dhe M/T Cyprus Prosperity, me flamur të Liberisë.
Zhvillimet e fundit rrisin edhe më tej tensionet në Gjirin Persik, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim situatën në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar në botë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!