Komanda Qendrore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka njoftuar në një postim në rrjete sociale se ka nisur një valë të re sulmesh kundër Iranit të martën në mbrëmje.
Sipas këtij postimi, sulmet e urdhëruara nga presidenti Donald Trump kanë filluar në orën 23:00 sipas zonës kohore të Kosovës dhe janë “kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të një helikopteri Apache të ushtrisë amerikane dje”.
Komanda Qendrore i ka cilësuar këto veprime si “sulme vetëmbrojtëse”, raporton televizioni CNN.
Gjerësia dhe intensiteti i sulmeve amerikane nuk është bërë menjëherë i qartë, megjithëse Komanda Qendrore i ka përshkruar si “kundërpërgjigje proporcionale ndaj agresionit të pajustifikuar iranian”.
Më herët të martën, presidenti Trump tha se ishte njoftuar nga ushtria amerikane se një helikopter i tipit “Apache” ishte rrëzuar nga Irani pranë brigjeve të Omanit, jo larg Ngushticës së Hormuzit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!