Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë diskutuar për çështje të mbrojtjes, sigurisë dhe politikës ndërkombëtare gjatë një takimi me gazetarët në Ankara, para samitit të NATO-s.
Trump deklaroi se së shpejti do të marrë një vendim nëse Shtetet e Bashkuara do t’i shesin Turqisë avionët luftarakë F-35, pavarësisht ndalimit të vendosur më herët nga Kongresi amerikan.
Ai vlerësoi Turqinë, duke thënë se Ankaraja ka qenë “më besnike se disa vende të tjera” që kanë marrë këta avionë, raporton CNN, transmeton Sinjali.
Ndërkohë, Erdogan u shpreh optimist se Turqia është pranë arritjes së një marrëveshjeje me SHBA-në për blerjen e avionëve F-35, si dhe për motorët amerikanë për avionin luftarak turk KAAN.
Sipas presidentit turk, Ankarasë “i janë premtuar pesë avionë”.
Gjatë deklaratave, Trump foli edhe për Grenlandën, duke përsëritur se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të kenë kontroll mbi këtë territor, të cilin e konsideroi me rëndësi strategjike për sigurinë amerikane. Megjithatë, ai pranoi se një qëndrim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet e tij me NATO-n.
Presidenti amerikan u ndal edhe te prania ushtarake amerikane në Evropë, duke thënë se SHBA-ja mund të tërheqë të gjithë ushtarët e saj nga kontinenti.
“Mund t’i tërheqim të gjithë ushtarët tanë nga Evropa”, deklaroi Trump, duke shtuar se Evropa është “krejtësisht ndryshe” nga 20 vite më parë.
Ai paralajmëroi gjithashtu vendet evropiane që të jenë më të kujdesshme me politikat për imigrimin dhe energjinë.
“Nëse nuk janë të kujdesshëm me këto dy gjëra, nuk do të keni më Evropë”, tha Trump.
Sa i përket luftës në Ukrainë, presidenti amerikan u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por theksoi se deri tani “asgjë nuk ka ndryshuar” në konflikt.
Në fund, Trump foli edhe për kryeministren italiane, Giorgia Meloni, duke e quajtur “një person të mirë”, pavarësisht një postimi me shaka që kishte bërë më herët në Truth Social për të.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!