image SHBA-ja mirënjohëse ndaj Kosovës për strehimin e përkohshëm të migrantëve të dëbuar

Politikë

SHBA-ja mirënjohëse ndaj Kosovës për strehimin e përkohshëm të migrantëve të dëbuar

news image

Në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka intensifikuar përpjekjet për realizimin e “operacionit më të madh të deportimit” në historinë e SHBA-së, Kosova ka vendosur të përgjigjet pozitivisht ndaj një kërkese të rëndësishme nga Uashingtoni.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur mirënjohje ndaj Kosovës për vendimin e marrë për pranimin dhe strehimin e përkohshëm të migrantëve që janë dëbuar nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë hap si mbështetje ndaj një prioriteti të lartë të administratës Trump.

“Ne mirëpresim bashkëpunimin rreth prioritetit kryesor të administratës Trump”, deklaroi Departamenti i Shtetit, duke vlerësuar gatishmërinë e Kosovës për të ndihmuar në lehtësimin e kthimit të këtyre personave në vendet e tyre të origjinës.

“Jemi mirënjohës ndaj Kosovës, partnerit tonë, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta që janë dëbuar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të tyre në vendet e prejardhjes”, tha më tej Departamenti për “CBS News” të mërkurën.

Vendimi është bërë i ditur nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka sqaruar se qeveria ka miratuar një vendim që parasheh pranimin dhe strehimin e deri në 50 migrantëve për një periudhë njëvjeçare.

Ky vendim u miratua në mbledhjen e 262-të të qeverisë në detyrë dhe parashihet të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Kurtit, qëllimi është lehtësimi i kthimit të këtyre personave në vendet e tyre të prejardhjes.

“Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”, theksoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/