Kandidatja e propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump për ambasadore në Shqipëri, Yuri Kim ka folur për ndryshimin e kufijve, duke theksuar se kjo ide nuk është e dobishme.
Ajo e bëri këtë koment mbrëmjen e sotme para Komisionit për Politikën e Jashtme në Senatin Amerikan.
Ajo u pyet nga senatorja Jeanne Shaheen rreth deklaratave të kandidatit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti për integrim më të madh midis dy shteteve shqiptare.
“SHBA ka bërë investime të madh në rajon duke sjellë paqe dhe që shtetet të qëndrojnë të pavarura, në paqe dhe të punojnë si skuadër. Ndryshimi i kufijve nuk është i dobishëm”, theksoi kandidatja për ambasadore.
Yuri Kim ka folur edhe për prioritetet e saj si ambasadore në Tiranë. Ajo përsëriti disa herë se synimi i punës së saj si ambasadore në Tiranë do të jetë forcimi i institucioneve dhe sundimit të ligjit. /Gazeta Sinjali/