Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë sanksionuar sërish personat që janë të afërt me presidentin e Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik.
Në njoftimin e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, thuhet se këta ia mundësonin përpjekjet e vazhdueshme të familjes së Dodikut, për t’iu shmangur sanksioneve amerikane.
Qeveria e ShBA-së edhe më parë e kishte sanksionuar presidentin e Republikës Serbe në BeH, për përfshirje në korrupsion.
“Për vite me radhë, Dodiku e ka shfrytëzuar pozicionin e tij zyrtar për të grumbulluar pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe djalin e tij, Igor Dodik. Ky korrupsion ka dëmtuar besimin e publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës e Hercegovinës dhe sundimin e ligjit. Rrjeti Dodik ka vazhduar përpjekjet e tij të qëllimshme për të anashkaluar sanksionet amerikane duke manipuluar strukturat e menaxhimit dhe duke riregjistruar kompanitë e sanksionuara me emra të rinj”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
Ky vendim thuhet se shpalos më tej “përpjekjet flagrante dhe korruptive të familjes Dodik për t’u pasuruar dhe për të anashkaluar sanksionet amerikane”, ndërsa theksohet se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të vënë në shënjestër ata që lehtësojnë korrupsionin e Dodikut dhe mundësojnë përpjekjet e tij për të çuar përpara veprimtaritë destabilizuese në Bosnje dhe Hercegovinë.”
Njëherit, kjo është hera e katërt vetëm brenda këtij viti që ShBA sanksionojnë individë dhe kompani që sigurojnë pasuri për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës dhe familjen e tij.