image SHBA: Gjykatësi vendos se Google ka shkelur ligjin me monopolin mbi kërkimet në internet

Internet

SHBA: Gjykatësi vendos se Google ka shkelur ligjin me monopolin mbi kërkimet në internet

news image

Një gjykatës arriti në përfundimin se kompania Google shkeli ligjin kur mbajti monopolin mbi kërkimet në internet, duke shtypur konkurrencën dhe tkurrur inovacionin.

Vendimi ka gjasa të ketë pasoja të jashtëzakonshme për internetin dhe të paralizojë një nga kompanitë më të njohura në botë.

Gjykatësi i qarkut të Uashingtonit, Amit Mehta e mori rastin një vit pasi Departamenti i Drejtësisë paditi kompaninë Google në përballjen më të madhe antitrust në Shtetet e Bashkuara që prej një çerek shekulli.

“Pasi shqyrtoi dhe peshoi me kujdes dëshminë dhe provat, gjykata arrin në përfundimin e mëposhtëm: Google është një (kompani) monopoliste dhe ka vepruar si e tillë për të ruajtur monopolin e vet”, shkruan gjykatësi në vendimin e tij prej 277 faqesh.

Ai tha se dominimi i Google në tregun e kërkimit në internet, është dëshmi e monopolit të saj.

Google “kontrollon 89.2% të tregut për shërbimet e kërkimit të përgjithshëm, një shifër që shkon në 94.9% në pajisjet celulare”, thuhet në vendimin që përbën një humbje madhore për Google dhe kompaninë ombrellë të tij, Alphabet Inc., e cila kishte argumentuar me forcë se popullariteti i motorit të saj të kërkimit buronte nga kërkesa e madhe e konsumatorëve për ta përdorur atë, falë cilësisë së lartë, që “e ka kthyer në sinonim të kërkimit në internet”.

/GazetaSinjali/