image SHBA dhe Britania e Madhe tërhiqen për shkak të ‘ftyres’

Kosovë

Skandaloze/ SHBA dhe Britania e Madhe tërhiqen për shkak të ‘ftyres’

news image

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bën me dije se SHBA-ja është tërhequr nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, siç kishte bërë më parë edhe Britania e Madhe, shkruan Sinjali.

“SHBA-ja ka dhënë dorëheqjen nga Bordi i KPVCA-së, siç bëri Mbretëria e Bashkuar më herët. Ne nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë i një institucioni kur lidershipi i tij u shërben interesave personale dhe politike, më shumë se sa qytetarëve”, thuhet në njoftimin për media të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë,.

“Përzgjedhja e miqve të pakualifikuar për pozicionet qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe tradhton besimin e publikut”, thuhet më tej në njoftim.

Kujtojmë se zgjedhja e Naser Shalës në krye të Agjencisë së Pronës ka zemëruar ambasadën britanike dhe atë amerikane. Të dyja kanë dhënë reagime të ashpra.

Ambasadori Ruari O’Connell, duke mos u pajtuar me këtë përzgjedhje pati dhënë dorëheqje nga kryesimi i Bordit të Agjencisë së Pronës, në mars të këtij viti.

Vendimi i ambasadorit O’Connell kishte ardhur pas mospërfilljes nga Kuvendi i Kosovës, që ta emërojë në një pozitë kandidatin që doli më i suksesshmi, bazuar në konkursin të cilin e monitoron ambasada, për pozita publike.

Kuvendi i Kosovës, por edhe institucione tjera, kanë nënshkruar më herët memorandum me Ambasadën Britanike, e cila ndihmon në përzgjedhjen e stafit në pozita publike të ndryshme.

“Fatkeqësisht, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë kandidatin e vetëm që kishte plotësuar kriteret e konkursit dhe kështu ka vendosur në këtë pozitë një kandidat që nuk u konsiderua profesional për pozitën”, thuhej në njoftimin e Ambasadës britanike.

Aty shtohet se, me këtë vendim, Kuvendi ka dëshmuar se nuk është i gatshëm të zbatojë marrëveshjen e përbashkët me ambasadën. Atëherë Ambasada e SHBA-së në Kosovë kishte përkrahur reagimin e Ambasadës së Britanisë.

“Deputetët treguan se më shumë vlerësojnë nepotizmin sesa të drejtat pronësore të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ambasadori Philip Kosnett.

E tash vjen edhe vendimi i kësaj Ambasade për t’u tërhequr nga Bordi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 50 vota për ta zgjedhur Naser Shalën në krye të Agjencisë së Pronës. Kandidatja tjetër, Florije Kika, mori vetëm 20 vota të deputetëve.

Naser Shala, i njohur gjatë luftës si komandant “Ftyra”, ka qenë i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile në rastin “Kleçka”. Ai ishte shpallur i pafajshëm.

Gjithashtu, është pjesë e përgjimeve në rastin Pronto, duke folur me ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili i tregon se e kishte kërcënuar Jakup Krasniqin, në emër të tij.