image SHBA, akuza ndaj një iraniani lidhur me një komplot për vrasjen e Donald Trumpit

Botë

SHBA, akuza ndaj një iraniani lidhur me një komplot për vrasjen e Donald Trumpit

news image

Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzoi të premten një iranian në lidhje me një komplot për të vrarë Presidentin e zgjedhur Donald Trump që dyshohet se ishte urdhëruar nga Garda Revolucionare e Iranit.

Me anë të një deklarate, Departamenti i Drejtësisë tha se Farhad Shakeri kishte informuar zyrtarët “se atij i ishte kërkuar më 7 tetor 2024, të hartonte një plan për të vrarë” zotin Trump.

Shakeri u tha zyrtarëve se një kontakt i tij në Gardën Revolucionale e kishte instruktuar në shtator që për shtatë ditë të hartonte një plan për të ndjekur dhe vrarë zotin Trump, sipas një padie kriminale që u bë publike të premten.

Shakeri u tha forcave të rendit se ai nuk planifikonte të hartonte plane për vrasjen e zotit Trump brenda afatit që kishte caktuar Garda Revolucionare e Iranit, sipas zyrtarëve.

Padia mbështetet tek deklarimet e një agjenti të FBI-së, ku përfshihet përmbajtja e telefonatave me Shakerin, që përshkruhen si të bëra me vullnetin e tij të lirë. Shakeri është një afgan që dyshohet të jetë operativ i Gardës Revolucionare të Iranit.

Departamenti i Drejtësisë tha se 51 vjeçari është me banim në Teheran. Ai kishte emigruar në SHBA si fëmijë dhe u deportua rreth vitit 2008 pas një dënimi për vjedhje. Shakeri është i lirë dhe besohet të jetë në Iran, thanë prokurorët.

Dy banorë të Nju Jorkut, të cilët Shakeri i kishte takuar në burg, Carlisle Rivera dhe Jonathan Loadholt, janë akuzuar gjithashtu se kishin ndihmuar Shakerin për të vrarë një shtetase amerikane me origjinë iraniane në Nju Jork, një kritike e hapur e qeverisë iraniane, e cila ishte vënë më parë në shënjestër për t’u vrarë.

Prokurorët nuk e identifikuan personin por përshkrimi i saj të lë të kuptosh se bëhet fjalë për gazetaren dhe aktivisten Masih Alinejad, drejtuese e një emisioni televiziv të shërbimit iranian të Zërit të Amerikës, e cila ka kritikuar ligjet e Iranit që e bëjnë të detyruar mbulimin e grave.

Ky është një komplot i ri i dyshuar ndaj zonjës Alinejad.

Katër iranianë u akuzuan në vitin 2021 në lidhje me një komplot për ta rrëmbyer atë, dhe në vitin 2022 një person u arrestua me armë para shtëpisë së saj.

Rivera dhe Loadholt po mbahen të ndaluar në pritje të gjykimit. Avokatët e tyre nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

/GazetaSinjali/