Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka reaguar lidhur me deklaratën së fundi të presidentit francez Emanuel Macron, i cili paralajmëroi Kosovën për një pezullim të mundshëm të vizave për Kosovën.
Shasha ka bërë të ditur se pezullimi i liberalizimit të vizave është një akt ekstrem, që sipas tij merret vetem në raste ekstreme.
Ai ka marrë shembujt e Rusisë, e cila u pezullua vetëm pasi e pushtoi Ukrainën, ndërkohë tha se Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi, përkundër se u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE.
Sipas tij, standardi i pezullimit te liberalizimit të vizave është shumë shumë i lartë dhe Kosova është shumë larg këtij standardi.
Tutje ai ka këshilluar që të mos merren seriozisht asgjë nga deklaratat deri sa nuk ka ndonjë deklaratë nga Komisionin Evropian duke folur për të, dhe se sipas tij deri atëherë çdo gjë që dëgjohet rreth kësaj është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike.
Postimi i plotë:
Pezullimi i liberalizimit të vizave është akt ekstrem që merret në raste ekstreme. Për shembull Rusisë iu pezullua vetëm pasi që pushtoj Ukrainën. Vanautusë iu pezullua vetëm pasi që refuzoj me kokëfortësi të ndal skemën e “pasaportave të arta”. Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër që u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE.
Çfarë dua të them është se standardi i pezullimit te liberalizimit të vizave është shumë shumë i lartë. Ne sot jemi shumë larg këtij standardi.
Nga ana tjetër Presidenti Macron nuk ka thënë asgjë të re. Konteksti i fjalimit të tij ka të bëjë me sigurinë e Ballkanit. Ky ishte fjalimi vjetor para ambasadorëve francez në botë dhe fjalimi ishte fokusuar në pikat neurologjike të botës. Rrjedhimisht ai aty flet 10 sekonda për Ballkanin dhe vetëm në kuptimin e gjësë më të rëndësishme: sigurisë, stabilitetit dhe paqes. Prandaj ai paralajmëron se në raste ekstreme të kërcënimit të sigurisë në Ballkan, patjetër që edhe liberalizimi i vizave mund të pezullohet. Kjo nuk është risi. Por ne sot jemi shumë larg këtij skenari, prandaj përderisa plotësisht mirëkuptoj ankthin që kemi nga kjo puna e vizave duhet të flemë qetë duke ditur se asgjë në BE nuk ka ndryshuar sa i përket kësaj çështje.
Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike.