Pas raportimit ekskluziv të Sinjalit për lokalin e ri që lidhet me djalin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ardhur edhe reagimi i vetë kryetarit.
Në një deklaratë për Sinjalin, Totaj ka konfirmuar një nga faktet kryesore të raportimit, duke bërë të ditur se djali i tij është aksionar në biznesin që po zhvillohet në hapësirat e Hotel Therandës. Ai, megjithatë, ka theksuar se djali nuk ushtron rol ekzekutiv apo menaxhues në veprimtarinë e lokalit.
Duke iu referuar raportimit të Sinjalit, Totaj ka hedhur poshtë pretendimet se projekti është realizuar pa procedurat e nevojshme, duke deklaruar se për investimin janë siguruar të gjitha pëlqimet dhe lejet e kërkuara nga institucionet kompetente, përfshirë edhe ato përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Sa i përket konstruksionit metalik, i cili ishte në qendër të raportimit të Sinjalit, Totaj ka sqaruar se bëhet fjalë për një element të përkohshëm dhe ka bërë të ditur se ai tashmë është duke u larguar.
Sinjali kishte raportuar, duke u bazuar në informacione të siguruara nga burime, se vendosja e këtij konstruksioni kishte nxitur interesim institucional për shkak të dyshimeve mbi respektimin e procedurave në një zonë të mbrojtur të Qendrës Historike të Prizrenit.
Me reagimin e tij, kryetari Totaj ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke këmbëngulur se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se nuk ka pasur asnjë shkelje në pajisjen me leje.
Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë këtë rast dhe do të raportojë për çdo zhvillim apo qëndrim të institucioneve kompetente lidhur me procedurat e ndjekura në këtë projekt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!