image Shala bën thirrje që dënimet me kusht për korrupsion të hiqen

Drejtësi

Shala bën thirrje që dënimet me kusht për korrupsion të hiqen

news image

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala është shprehur i pakënaqur me vendimet që po merren sa i përket rasteve që kanë të bëjnë me korrupsion në shkallën e parë, të dytë dhe atë të Gjykatës Supreme.

Shala thotë se për lëndët e kësaj natyre duhet të dhënë dënime meritore. Sipas tij, dënimet me kusht për korrupsion duhet të hiqen, ndonëse vlerëson se viteve të fundit s’ka pasur dënime të tilla.

“Personalisht s’jam i kënaqur. Mendoj që duhet dhënë maksimumin si në shkallë të parë ashtu edhe  në shkallën e dytë si dhe në atë Gjykatën Supreme. Kur kemi të bëjmë me vepra penale të karakterit të korrupsionit unë konsideroj që gjyqtarët nuk duhet të japin dënim me kusht, ngase ajo është stimulim për të kryer veprën. Por duhet të jetë si preventivë, sepse qëllimi i dënimit është të jetë preventivë, për shkak të mos përsëritjes. E nëse ne japim dënime me kusht, atëherë jemi duke stimuluar që konsideroj që këto vitet e fundit s’kemi dënime me kusht”, është shprehur ai për Ekonomiaonline.

Shala thotë se gjatë vitit 2020 kjo Gjykatë ka bërë punë të mirë sa i përket lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin. Kjo gjykatë sipas tij, në vitin 2020, ka  kryer 62 lëndë për korrupsion, ku 19 kanë qenë të bartura nga viti 2019, ndërsa në vitin 2020, kanë pranuar edhe 65 lëndë të tjera.

/GazetaSinjali/