image Shaban Gogaj s’dëshiron mbrojtës përveç Besnik Berishës, gjobitet edhe avokati tjetër që u tërhoq nga mbrojtja

Drejtësi

Shaban Gogaj s’dëshiron mbrojtës përveç Besnik Berishës, gjobitet edhe avokati tjetër që u tërhoq nga mbrojtja

news image

Për shkak se i akuzuari Shaban Gogaj nuk dëshiron mbrojtës tjetër përveç Besnik Berishës, është tërhequr edhe avokati Asdren Mekaj, të cilit gjykata i shqiptoi gjobë prej 250 euro, për mosparaqitje në seancë.

Në seancën e së mërkurës, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, konstatoi se mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Asdren Mekaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare, me parashtresën e paraqitur sot në gjykatë në orën 8, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancë, pasi i ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet për mbrojtje dhe përfaqësim, mirëpo përkundër përgatitjes për një gjykim dhe brenda afatit të arsyeshëm, ka hasur në një pengesë absolute që ia pamundëson pjesëmarrjen në gjykim për mbrojtjen e Shaban Gogajt.

Sipas tij, kjo lidhet me mungesën e bashkëpunimit të klientit të tij, që të jetë mbrojtës i tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mekaj kishte theksuar në parashtresë se i njëjti me rastin e vizitës së klientit Gogaj në spital, i akuzuari ia ka sqaruar se nuk dëshiron avokat tjetër përveç Besnik Berishës.

Andaj, për këto arsye është i shtyrë të tërhiqet nga mbrojtja, sepse nuk mund të veprojë kundër vullnetit të tij .

Gjykatësja tha se kishte kontaktuar me avokatin Mekaj dhe i kishte premtuar që do të vijë në seancë pavarësisht faktit nëse Gogaj dëshiron ta përfaqësojë.

Si rrjedhojë gjykatësja konstatoi se nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës së sotme.

Gjykatësja Husaj-Rugova duke marrë për bazë mosparaqitjen e avokatit në seancë, të njëjtit i shqiptoi dënim me gjobë në shumën prej 250 euro, për shkak të mosparaqitjes dhe prolongimit të procedurës.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua më 23 gusht 2022.

Ndryshe, edhe seanca e 4 korrikut, kishte dështuar pasi mbrojtësi i ri i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati Asdren Mekaj ka kërkuar kohë shtesë të përgatisë mbrojtjen dhe të njihet me shkresat e lëndës, pasi është caktuar avokat i Gogajt sipas detyrës zyrtare.

Kurse, seanca e 22 qershorit kishte dështuar të mbahet pasi mbrojtësi i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Haxhi Çekaj kishte munguar në seancë, pasi sipas parashtresës së dërguar në gjykatë, kishte thënë se i pandehuri nuk ka pranuar ta përfaqësonte atë në gjykatë.

Ndryshe, pas 9 muajsh bllokadë në zhvillimin e seancave gjyqësore ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve(OAK), më 22 prill 2022, kishte vendosur që të shfuqizojë vendimin e saj që ndaj Gogajt të mos caktohet ndonjë avokat sipas detyrës zyrtare.

Pasi mbrojtësi i të pandehurit Gogaj, avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga dhënia e mbrojtjes për shkak të prishjes dhe rendit të gjykatës, për shkak të këtij vendimi, shumica e avokatëve të cilët ishin caktuar nga ana e Gjykatës së Pejës për të përfaqësuar Shaban Gogaj, kishin refuzuar të japin mbrojtjen e tyre për shkak të vendimit të OAK që ndalonte avokatët sipas detyrës zyrtare ta përfaqësonin Gogajn në gjykatë.

/GazetaSinjali/