Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.
Probleme të vazhdueshme në lidhjen e tyre kanë edhe një burrë dhe një grua në komunën e Shtimes, të cilët disa herë kanë përfunduar në stacion policor.
Sinjali mëson se si shkak i dhunës, 37-vjeçarja ishte pajisur edhe me urdhërmbrojtës nga gjykata dhe ishte ndarë nga bashkëshorti i saj. Por edhe pas kësaj, ajo pa lajmëruar fare institucionet përkatëse, ishte ribashkuar me të shoqin dhe kishte vazhduar bashkëjetesën me të deri para një muaji.
Me t’u larguar nga shtëpia, gruaja është përballur me kërcënimet e burrit, i cili përmes telefonatave i ka thënë se nëse ajo martohet me dikë do e vrasë atë bashkë me partnerin e ri dhe familjen e saj.
E frikësuar dhe e shqetësuar nga kërcënimet e 35-vjeçarit, ajo ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer gjithë ngjarjen në detaje.
Pas denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka mohuar të ketë kërcënuar viktimën.
Prokurori ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet për dy vepra penale ‘Kanosje’ dhe ‘Dhunë në familje’.