Analisti dhe njohësi i çështjeve për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të dëshmojnë se janë të gatshme t’i tejkalojnë barrierat politike.
“Është e vërtetë se integrimi rajonal ekonomik përbën mundësi të mëdha. Por, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta dëshmojnë se janë të gatshme t’i tejkalojnë barrierat politike për ta kryer punën. Prandaj, pjesëmarrja e liderëve është e nevojshme për probleme të zakonshme. Vetëm ata mund t’i heqin pengesat politike dhe të synojnë përfitimet ekonomike”, shkruan ai në vështrimin e botuar në “Peacefare”.
Serwer theksoi se Serbia ka shumë barriera jotarifore që bllokojnë importet nga Kosova.
Më tutje ai ka folur edhe për refuzimin nga BE-ja që t’i liberalizojë vizat Kosovës, që sipas tij kushtet janë plotësuar më shumë se 100 për qind.
“Serbia ka shumë barriera jotarifore që bllokojnë importet dhe lëvizjen nga Kosova. Njëjtë edhe Bosnja. Për të dyjat, arsyet janë politike, e jo ekonomike. Deri në Marrëveshjen e Prespës, rruga për në Selanik nuk ka qenë e lirë për tregtinë nga Maqedonia e Veriut dhe bisedimet po vazhdojnë për heqjen e barrierave. E të mos përmendim këtu refuzimin e BE-së për t’i liberalizuar vizat për Kosovën, të cilat Prishtina i ka miratuar duke zbatuar më shumë se 100 për qind të kushteve teknike. Por, rrethanat politike ende nuk janë krijuar”, ka shkruar ai./ Gazeta Sinjali/