image Serwer: Gabim shumë i madh fakti që amerikanët dhe evropianët insistojnë në krijimin e Asociacionit

Politikë

Serwer: Gabim shumë i madh fakti që amerikanët dhe evropianët insistojnë në krijimin e Asociacionit

news image

Shtetet kyçe të BE-së të cilat janë të involvuara edhe në procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli kanë qenë të palëkundura në kushtëzimin e tyre që Kosova duhet të bëjë progres të dukshëm sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nëse Prishtina zyrtare dëshiron të marrë përkrahje për anëtarësimin në Këshill të Evropës. Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar ta çojë Draftin e BE-së në Kushtetuese duke e humbur kështu mundësinë që Kosova të anëtarësohet në KiE gjatë majit.

Por, çfarë nënkupton për besueshmërinë në mes Kosovës dhe aleatëve një raport i tillë i kushtëzuar e ku letrat me nënshkrime e zotime s’kryejnë më punë tek ndërkombëtarët.

Lidhur me këtë ka folur profesori dhe analisti amerikan, Daniel Serwer. Ai ka thënë se më raportin e kryeministrit të Kosovës me evropianët dhe amerikanët ka mungesë të besimit dhe efektivitetit.

Serwer thotë se është një gabim shumë i madh fakti që amerikanët dhe evropianët insistojnë në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke qenë se është prioriteti kryesor i Beogradit në dialog e në ndërkohë Kosova s’përfiton asgjë.

“Të gjithë të interesuarit duhet ta rilexojnë marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, ku kërkohet jo vetëm Asociacion por gjithashtu edhe njohja nga Beogradi e vlefshmërisë së Kushtetutës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës dhe mos interferimin në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Beogradi asnjë nga këto kërkesa nuk i ka përmbushur”, ka thënë Serwer për Express.

I pyetur nëse mendon se Kosova do ta implementojë ndonjëherë Draftin e BE-së, meqë Kurti ishte në gatishmëri të dështojë anëtarësimin në KiE dhe të mos e çojë në Kushtetuese, Serwer shprehet se s’sheh rrugë përpara për Asociacionin pa të paktën njohje de fakto të Kosovës nga Serbia.

 “Nuk shoh se si Asociacioni mund të ecë përpara pa njohjen de facto nëse jo de jure të Kosovës nga Serbia”, ka potencuar Serwer.

Serwer për Express ka folur edhe për ofertën e minutave të fundit të bërë nga kryediplomatja Donika Gërvalla për Asociacionin me qëllim të marrjes së përkrahjes së aleatëve për KiE dhe për mos koordinimin me presidenten e Kosovës. Profesori amerikan thotë se çështja e koordinimit është punë për ata që janë të përfshirë dhe shton se mendon se Kosova duhet ta përgatis një draft që do ta konsideronte të pranueshëm, me kusht që Beogradi përmbush detyrimet e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

“Unë mendoj se Kosova duhet të përgatisë një draft që do ta konsideronte të pranueshëm, me kusht që Beogradi të përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013”, ka potencuar Serwer.

Pasi kushtëzimi për KiE dështoi, Serwer thotë se e vetmja mënyrë për ta bindur Kosovën që të lëviz përpara me themelimin e Asociacionit, është që të bindet Beogradi të kryejë obligimet e veta.

Serwer, i pyetur nëse mos krijimi i Asociacionit do të krijojë hapësirë për rikthimin e idesë së korrigjimit të kufijve në rast të një rikthimi potencial të ish-presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë thotë se me apo pa Asociacion, ideja e shkëmbimit të territoreve do të rikthehet përsëri nëse Trump rizgjidhet president.

“Nuk kam dyshim se ideja e shkëmbimit të tokave do të lindë përsëri nëse Trump rizgjedhet, pavarësisht nëse ka apo jo hapa drejt Asociacionit”, ka përfunduar Serwer.

/GazetaSinjali/