Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të shtunën ka akuzuar autoritetet në Prishtinë për ndalimin e tre pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe një ish-polic në pikat kufitare, me urdhër të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Petkoviq ka theksuar se këto ndalime janë bërë pa asnjë bazë ligjore dhe përbëjnë hakmarrje politike ndaj serbëve.
Sipas Petkoviqit, të ndaluarit dhe familjet e tyre kanë jetuar për një periudhë të gjatë në Kosovë dhe kanë ushtuar detyrat e tyre në njësitë policore të Serbisë.
Aktualisht, ata janë në paraburgim, ndërsa Zyra për Kosovën do t’u ofrojë ndihmë juridike dhe do të njoftojë përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë ndërmjetësin në dialog, Peter Sorensen, për këtë veprim të paligjshëm.
Në njoftimin e Zyrës për Kosovën, janë përmendur inicialet e të ndaluarve dhe pikat kufitare ku janë ndaluar: N.V. (26, Bërnjak), M.M. (28, Jarinje), A.M. (36, Dheu i Bardhë), dhe M.S. (53, Bërnjak), i cili është polic në pension.
Petkoviqi gjithashtu ka akuzuar Kurtin për shtypje politike, duke përmendur ngritjen e aktakuzës ndaj deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, që sipas tij përbën një përpjekje për kriminalizimin e përfaqësuesve të interesave serbe dhe pengimin e Listës Serbe.
Ai theksoi se veprimet e tilla janë duke rritur tensionet ndëretnike dhe po pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon, duke bërë thirrje për një reagim të qartë dhe të menjëhershëm nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre ndalimeve dhe përndjekjes së serbëve.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar gjithashtu se shtetësia e Kosovës i është hequr Nikola Vujoviqit, pasi ai ka shërbyer si pjesëtar i forcave policore të Serbisë dhe ka rrezikuar sigurinë kombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!