image Serbia rifillon blerjen e armëve nga Rusia

Rajon

Serbia rifillon blerjen e armëve nga Rusia

news image

Dy vjet pasi u paralajmërua se Serbia do të ndërpresë furnizimin me armë, zyrtarët janë duke kontraktuar dërgesa të reja nga Rusia.

Këto marrëveshje vijnë në kohën kur të gjithë sytë janë të drejtuar nga Moska dhe tensionet në kufi me Ukrainën, por edhe pas disa paralajmërimeve të Perëndimit për bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.

“Furnizimi në fushën e mbrojtjes është vendim kombëtar” – kështu i komentuan në NATO paralajmërimet e Serbisë për furnizim me armë ruse.

Megjithatë, NATO bëri thirrje për ulje të tensioneve.

“Njëkohësisht, është me rëndësi që të gjitha palët të kontribuojnë në uljen e tensioneve në rajon dhe të kultivojnë paqe e stabilitet”, thuhet në deklaratën me shkrim të NATO-s, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Aty theksohet se Serbia dhe NATO-ja janë partnere të afërta dhe se këtë vit u shënua 15-vjetori i anëtarësimit të Serbisë në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Serbia, siç kanë theksuar disa herë zyrtarët, është shtet ushtarakisht neutral, që nuk pretendon të anëtarësohet në NATO. Krahas bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, Serbia bashkëpunon edhe me NATO-n përmes programit të Partneritetit për Paqe.

Krahas Kornetit edhe Panciri

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, deklaroi më 25 nëntor se nga Rusia në Serbi do të arrijnë së shpejti pajisje të reja ushtarake.

“Fjala është për Kornet, respektivisht pengesa të lëshuara për Kornet dhe raketa Kornet për mjete anti-tank. Jashtëzakonisht të rëndësishme për terrenin tonë”, deklaroi Vuçiq.

Më shumë detaje për këto furnizime, shtatë ditë pas takimit të Vuçiqit me Putinin, dha ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksander Vulin, pas takimit me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se është rënë dakord për blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes kundërajrore (PVO) “Pancir S1” dhe raketave anti-tank “Kornet”.

Këto informata, megjithatë, nuk janë publikuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, lidhur me takimin Vulin-Shoygu.

Po në të njëjtën ditë, Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi mediat për rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufirin e Ukrainës.

Ndonëse në njoftim nuk përmendeshin furnizimet e reja të Serbisë me armatim rus, për të cilat njoftuan zyrtarët serbë, Ambasada e Ukrainës porositi qytetarët e Serbisë:

“Mos dëgjoni çfarë thotë Kremlini, shikoni çfarë bënë Kremlini”.

Në njoftim po ashtu përkujtohej aneksimi i Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Për këtë veprim, Rusia ende ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të ShBA-së.

Shormaz: Nuk na duhet bashkëpunimi me Rusinë për mbrojtje

Dragan Shormaz, deputet nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) me në krye Aleksander Vuçiqin, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk ka nevojë të bashkëpunojë me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, marrë parasysh se përcaktimi i saj strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Duhet ta përgatisim shtetin për këtë anëtarësim. Andaj, nuk na duhet bashkëpunimi strategjik me Rusinë”, tha Shormaz, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Parlamentit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai tha se furnizimi me armatim nga Rusia dhe Kina, bazuar në vlerë, është dukshëm më i vogël në raport me furnizimet nga shtetet anëtare të NATO-s.

“Kjo është imtësi, nuk është ndonjë furnizim i madh dhe nëse e shohim çfarë ndodhi në këto 20 vjetët e fundit, por edhe në një apo dy vjetët e fundit, del se me pajisje dhe gjithçka tjetër që i duhet Ushtrisë së Serbisë, furnizohemi më shumë nga SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-së, sesa nga Rusia dhe Kina”, tha Shormaz.

Ai pranoi se qëndrime të këtilla në partinë e tij kanë pak anëtarë. Në pyetjen nëse ka mirëkuptim brenda partisë, nga e cila vijnë ministra dhe zyrtarë që angazhohen për rikthim të politikës së jashtme serbe kah Rusia, Shormaz u përgjigj:

“Derisa askush nuk më kritikon, do të thotë se ka njëfarë pajtimi, nëse jo përkrahje”.

Shuma rekorde që ndahen për mbrojtje

Paralajmërimi për blerjen e armatimit të ri nga Rusia u bë dy vjet pasi që vetë presidenti serb tha se Serbia nuk do të furnizohet më me armatim.

“Do të ketë reforma shtesë të ushtrisë sonë. Do ta bëjmë akoma më mobile dhe më të shpejtë”, deklaroi Vuçiq më 3 dhjetor të vitit 2019, në prag të udhëtimit në Rusi për një takim me Putinin.

Mjetet e Serbisë për blerjen e armatimit të ri, ndërkohë, janë shtuar. Sipas të dhënave nga Rrjeti i Ballkanit për Siguri – portal i specializuar për mbrojtje dhe siguri – brenda këtij viti, “buxheti serb për mbrojtje, për herë të parë, tejkaloi shifrën prej 1 miliard eurosh”.

Në tre vjetët e kaluar, Ushtria e Serbisë bleu nga Rusia pesë helikopterë Mi-17V-5, katër helikopterë luftarakë Mi-35M dhe sistemin raketor PVO “Pancir S1”.

Në po kaq vite, nga Evropa, nga kompania “Airbus” u blenë pesë helikopterë H-145M.

Gjatë korrikut të vitit 2020, Serbia, mes tjerash, bleu nga Kina gjashtë fluturake pa pilotë CH-92A e më pas edhe sistemin mbrojtës raketor FK-3.

Çfarë po blen Serbia?

Sistemi rus raketor i artilerisë “Pancir S1” është i destinuar për mbrojtjen e objekteve nga operacionet e zbulimit dhe nga veprimet prej hapësirës ajrore.

Në vitin 2019, Serbia bleu një bateri nga Rusia, e cila përbëhet nga gjashtë sisteme. Së voni, një e tillë u përdor në luftën në Siri.

“Panciri” arriti në Serbi vitin e kaluar, në disa pjesë, që u kompletuan në mars.

Për herë të parë në territorin e Serbisë, “Pancir S1” hyri në tetor të vitit 2019. Krahas sistemit raketor rus S-400, ai u prezantua gjatë një manovre të përbashkët ushtarake ruso-serbe.

Edhe Brukseli, edhe Uashingtoni reaguan ndaj furnizimit të Serbisë me sistemin raketor rus.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, më 25 shkurt, 2020, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se është e nevojshme që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e bllokut evropian.

Në po të njëjtën ditë, Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve “që të heqin dorë nga transaksionet me Rusinë, që do të mund të çonin në sanksione, në bazë të Ligjit për ballafaqim me kundërshtarët amerikanë nëpërmes sanksioneve (CAATSA)”.

Se sa i kushtoi Serbisë “Panciri” është një informatë, të cilën autoritetet po e mbajnë në fshehtësi, njëjtë sikurse shumicën e armatimit që Serbia e siguron nga Rusia.

Po ashtu nuk dihet se me çfarë çmimi Serbia do t’i blejë nga Rusia raketat “Kornet”.

A është ushtria prioritet?

Redaktori i Rrjetit të Ballkanit për Siguri, Aleksander Radiq, tha për Radion Evropa e Lirë se kur blihet armatimi, është e pamundur të shmanget konteksti politik.

“Dyshoj që këtu ekziston atmosfera e atillë që ushtria është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se vërtet ushtria e nevojat e saj janë motivi i vetëm, sepse deri më tani furnizimi me mjete ushtarake ishte i motivuar politikisht”, tha Radiq.

Sipas tij, vlera e furnizimit me mjete ushtarake nga partnerët perëndimorë i tejkalon ato me Rusinë dhe Serbia, në këtë aspekt, po tenton që të bëjë njëfarë barazie.

Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Serbia është në cak të kritikave nga Perëndimi, sepse si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo nuk e ka harmonizuar ende politikën e saj të jashtme me atë evropiane.

Serbia refuzon që t’u bashkohet sanksioneve që BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.

Për Dragomir Angjellkoviqin, analist politik nga Beogradi, rinovimi i marrëveshjes për furnizim me armë nga Rusia është logjik, sepse, sipas tij, “Serbia ka armatim rus në nivel dominues, respektivisht armatim të dikurshëm sovjetik”.

“Sipas mendimit tim, Serbia duhet të blejë mjete ushtarake nga shtetet që janë aleatë tonë në mbrojtjen e integritetit territorial, nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Serbinë sa i përket çështjes së mbrojtjes së Kosovës”, tha Angjellkoviq.

Çështja e Kosovës

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Rusia dhe Kina, të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

I pyetur se si e komenton faktin se Serbia anon kah anëtarësimi në BE, derisa njëkohësisht thellon bashkëpunimin me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe vazhdon të blejë armë dhe mjete ushtarake nga Rusia, Angjellkoviq tha se Serbia nuk ka arsye që të ngarkohet me raportet mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

“Do të ishte cinike që dikush që e njohu pavarësinë e Kosovës, të presë nga ne që të distancohemi nga Rusia, e cila po na ndihmon lidhur me Kosovën”, tha ai.

Rusia, aktualisht, është nën vëzhgim të vazhdueshëm të Uashingtonit dhe NATO-s, për shkak të tensioneve në raportet Moskë-Kiev.

Derisa Perëndimi e akuzon Rusinë se po përgatit pushtim të ri të Ukrainës, Moska e mohon këtë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe figura të larta të ushtrisë ukrainase sugjerojnë se rreth 92 mijë ushtarë rusë tashmë janë vendosur në veri dhe lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë në konferencën Reuters Next më 1 dhjetor, paralajmëroi Rusinë që të mos përdorë dhunë kundër Ukrainës dhe shtoi se Moska e di që do të paguajë çmim të lartë përmes sanksioneve dhe hapave të tjerë të Perëndimit, nëse vjen deri te çfarëdo agresioni./GazetaSinjali/