Marrëdhëniet me Serbinë, bashkëpunimi rajonal, anëtarësimi në NATO dhe marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në fokus të takimit të zëvendës Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
Ky i fundit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së ndaj Kosovës dhe për partneritetin mes dy vendeve në të gjitha etapat shtetndërtuese, si aleati kryesor dhe strategjik.
Kryeministri i Kosovës e informoi diplomatin amerikan për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes Bazike, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Milan Radoiçiç dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ky takim që u zhvillua në kryeministri, u mbajt pas ngjarjes e lancimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i falënderoi SHBA-në për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë, njofton kryeministria.
Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kryeministri Kurti e njoftoi Zëvendës Sekretarin Verma mbi zhvillimin dhe progresin që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit, teksa mbetemi të orientuar kah synimet strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE. Me rritjen ekonomike në njërën anë dhe progresin demokratik në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar që zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik shkojnë krah për krah, u shpreh kryeministri.
Verma shoqërohej nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ndërkohë që në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.