Diplomacia serbe po vazhdon fushatën agresive diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Shteti serb po paguan qindra mijëra euro për t`kurrjen e njohjeve ndërkombëtare.
Serbia ka paguar rreth 340 mijë dollarë për ta blerë letrën që e revokon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Afrikës Qendrore.
Këtë skandal të diplomacisë afrikane e ka zbuluar mediumi afrikan CNC, i cili tregon për takimet sekrete dypalëshe.
Ky medium pas disa hulumtimeve të bëra ka zbuluar se si një i këshilltar i Ivica Daçiqit i njohur me nofkën ‘Vlad’, kishte takuar në Francë në mes të korrikut ministren e Punëve të Jashtme të Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon.
Në këtë takim këshilltari i Daçiqit i kishte ofruar ministres së Afrikës Qendrore një shumë prej 200 milionë frangave të Afrikës Qendrore rreth 340 mijë dollarë amerikan, në këmbim të letrës së tërheqjes së njohjes për pavarësinë e Kosovës.
Menjëherë pas këtij takimi në mediat serbe ishte shfaqur ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq me letrën në dorë për ç`njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Siç shkruan CNC fakti që habit të gjithë është se as kryeministri e as presidenti i Republikës së Afrikës Qendrore, nuk janë konsultuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, për vendimin që mediumi afrikan e quan si personal të saj për tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë në këto pazare thuhet se është përfshirë edhe Rusia dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ka vendosur ta mbështes ministren Sylvie Baipo Temon, duke i bërë presion qeverisë së Afrikës Qendrore që të pajtohej me letrën ku pretendohet tërheqja e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Por ky nuk është skandali i vetëm. CNC në këtë hulumtim të skandaleve të diplomacisë të Republikës së Afrikës Qendrore shkruan se ministrja e Jashtme është e përfshirë edhe në afera të ndryshme korruptive. Ajo thuhet se në mënyrë jo ligjore u ka siguruar familjarëve të saj pasaporta të falsifikuara diplomatike.
Të gjithë këto skandale të diplomacisë afrikane sipas këtij mediumi janë duke lëkundur qeverinë e kryeministrit të Republikës së Afrikës Qendrore Firmin NGRÉBADA. /Sinjali/