image Serbia nis hetime pas shembjes së strehës në Novi Sad që la 14 të vdekur

Rajon

Serbia nis hetime pas shembjes së strehës në Novi Sad që la 14 të vdekur

news image

Serbia ka nisur të shtunën hetime për shembjen e një strehe betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, që ka rezultuar me vdekjen e 14 personave.

Për shembjen është raportuar të premten, ndonëse moti ka qenë i mirë, me diell.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar përgjatë natës për t’i nxjerrë të vdekurit dhe të lënduarit nga rrënojat prej betoni.

Në stacionin në Novi Sad, qytet rreth 70 kilometra në veriperëndim të Beogradit, janë kryer punime për rinovimin e tij.

Ministri i Transportit, Goran Vesiq ka thënë se hetimet që kanë nisur në Novi Sad, do të përfshijnë edhe Institutin shtetëror të Trafikut, kompani shtetërore për hekurudha, dhe një konsorcium kinez, që ka kryer punimet për renovim.

“Hetimet do të vërtetojnë kush i ka marrë vendimet dhe kush ka vënë nënshkrimet, kush ka qenë i angazhuar për të kontrolluar cilësinë e punimeve”, ka thënë Vesiq për televizionin shtetëror.

Vesiq, kompania shtetërore hekurudhore, Instituti shtetëror i Trafikut dhe konsorciumi kinez, kanë thënë se pjesa e shembur e ndërtesës nuk ka qenë pjesë e rinovimeve.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se 20 persona do të intervistohen të shtunën lidhur me këtë katastrofë, përfshirë zyrtarë të ministrisë që janë të ngarkuar për këto çështje.

“Do të sigurohet edhe dokumentacioni për ndërtesën… kush i ka marrë vendimet”, ka thënë Daçiq.

Autoritetet e kanë shpallur të shtunën ditë zie.

Njerëzit janë parë duke dërguar lule dhe duke ndezur qirinj afër zonës së incidentit.

Opozita serbe, e cila akuzon autoritetet besnike ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për korrupsion enorm dhe nepotizëm, ka bërë thirrje për protesta në Novi Sad, më vonë gjatë ditës, raporton REL.

Vuçiq dhe aleatët e tij, hedhin poshtë këto pretendime.

Vetë Vuçiq është zotuar të premten se do të ketë drejtësi dhe ka kërkuar ndëshkime të ashpra për përgjegjësit.

/GazetaSinjali/