image Serbia ndan para për projekte për “forcimin e identitetit serb” në Bosnje e Hercegovinë

Rajon

Serbia ndan para për projekte për “forcimin e identitetit serb” në Bosnje e Hercegovinë

news image

Ministri pa portofol i Qeverisë serbe, Gjorgje Milliçeviq, ka nënshkruar në Banjallukë 13 kontrata për mbështetje financiare për projekte që synojnë “forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor serb” në Bosnje dhe Hercegovinë dhe entitetin serb, Republika Sërpska.

Mbështetja financiare kap vlerën prej 675 mijë eurosh, tha Qeveria serbe.

Kontratat u nënshkruan gjatë një takimi që Milliçeviq zhvilloi më 25 korrik me përfaqësuesit e “shoqatave serbe dhe organizatave joqeveritare nga Republika Sërpska dhe Bosnje e Hercegovina”.

Në njoftim u tha se “pjesa më e madhe e fondeve është destinuar për blerjen e pajisjeve për shoqëritë kulturore dhe artistike, për tekstet shkollore dhe tekstet e tjera për shkollat plotësuese serbe si dhe për pajisjet sportive për klubet serbe në diasporë”.

Pas nënshkrimit të kontratave, Milliçeviq tha se “interesat kombëtare dhe qëllimet e popullit serb në shekullin 21 janë paqja, stabiliteti ekonomia dhe mbi të gjitha uniteti”.

Ai tha se në kuadër të “kuvendit gjithëserb”, që u mbajt më 8 qershor në Beograd, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Republikës Sërpska, i cili nënkupton “forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijimin e lidhjeve edhe më të forta mes atdheut dhe serbëve që jetojnë jashtë Serbisë”.

/GazetaSinjali/