Qeveria e Serbisë sot është mbledhur për të formuar një komitet kombëtar i cili, sipas vendimit do të merret me mbrojtjen e pronave kulturore në raste konflikti të armatosur, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë mënyrë Serbia i referohet mundësisë së luftës në Kosovë dhe objekteve, që ajo i quan “trashëgimi kulturore serbe”.
Anëtarët e qeverisë serbe gjatë seancës së sotme gjithashtu morën vendim për krijimin e qendrave shëndetësore në Zubin Potok dhe Zveçan, raportojnë mediat serbe.
Vendimi për formimin e atij komiteti, është paraparë të zgjas për një periudhë pesëvjeçare.
Me ftesë të presidentit të Serbisë, sipas vendimit, përfaqësuesit e ministrive kompetente, si dhe ekspertë të shquar në fushën e sigurisë, mund të marrin pjesë në punën e këtij komiteti.
“Detyra e Komitetit është të japë propozime, opinione dhe shpjegime ekspertësh në lidhje me masat që duhen marrë në mënyrë që Konventa të zbatohet plotësisht. Komiteti gjithashtu promovon qëllimin dhe rëndësinë e Konventës, konsideron dhe propozon bashkëpunim me institucionet përkatëse të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe grupet punuese kombëtare të profilit të njëjtë ose të ngjashëm me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e praktikave të mira”, thuhet në vendim.
Këto zhvillime kanë ardhur pas vendimit që Qeveria e Kosovës e mori dje për të vendosur një masë reciprociteti sa i përket targave të automjeteve./GazetaSinjali/