Dhoma për Krime Lufte në Gjykatën e Lartë të Beogradit ia ka vazhduar edhe për një muaj masën e paraburgimit, mërgimtarit Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua në Merdare derisa po e dërgonte nënën e tij për analiza në Nish të Serbisë.
Siç raportojnë mediat serbe, Mehmetaj do të mbahet në paraburgim deri më 2 mars.
Mehmetaj, i cili jeton në Zvicër që nga koha e luftës, po akuzohet nga autoritetet serbe për krime lufte.
Ai është arrestuar më 4 janar të këtij viti. Për arrestimin e Mehmetajt kanë reaguar edhe institucionet e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit kosovar./Gazeta Sinjali/