image Serbia ia ndalon pjesëmarrjen pingpongistëve kosovarë në Kampionatin Evropian

Sporte të tjera

Serbia ia ndalon pjesëmarrjen pingpongistëve kosovarë në Kampionatin Evropian

news image

Serbia ia ka ndaluar pingpongistëve kosovarë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, i cili po mbahet në Beograd.

Këtë e bëri të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës i cili tha se politika serbe sërish po përzihet në sport.

“Politika serbe vazhdon të përzihet në sport, dhe atë duke diskriminuar sportistët tanë. Rasti i fundit ndodhi me pingpongistët tanë, të cilëve iu mohua pjesëmarrja me të drejta të barabarta me shtetet tjera në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, që po mbahet në Beograd të Serbisë”, ka shkruar KOK në Facebook.

Komiteti tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian.

“Dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”, thuhet tutje në njoftim.

KOK-u i bëri thirrje Federatës Evropiane të Pingpongut që të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit, Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë.

/GazetaSinjaliSporti/