Zëvendëskryeministri Ivica Daçiq ka deklaruar se Serbinë e pret një udhëtim i vështirë diplomatik. Ai është i bindur se vendi i tij ka ndryshuar balancën e fuqisë në Kombet e Bashkuara sa i përket numrit të vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, më tej tha se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nga 193 anëtarë, Kosova nuk mund të marrë më shumë se 83 vota.
Daçiqi theksoi se ka raste kur shtetet që e kanë pranuar pavarësinë, nuk votojnë për Kosovën në nisma të ndryshme.
“Kosova edhe po të kalojë votimin me shumicë në OKB, mund të bëhet vetëm shtet vëzhgues jo-anëtar, njëjtë sikurse Palestina. Për t’u bërë anëtar i plotë duhet miratimi i Këshilli të Sigurimit, ku anëtare të përhershme janë Rusia dhe Kina”, tha Daçiq.
Zv.kryeministri serb theksoi se kjo është arsyeja pse qëndrimi i Rusisë dhe Kinës është shumë i rëndësishme për ne, në mënyrë që ata të mund të vënë veton.
Sipas tij për këtë arsye çështja e Rusisë, Ukrainës, Kosovës, Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara nuk mund të shikohen veçmas.
“Prandaj them se duhet të ketë një ‘paketë për Serbinë’, e cila para së gjithash do të fillonte nga Kosova dhe mendoj se një paketë e tillë për momentin nuk ekziston. Nuk kemi marrë asnjë propozim që do të ishte bazë për bisedë”, tha ministri i Jashtëm i Serbisë.