Të mërkurën në Mal të Zi do të mbërrijë kontigjenti i parë me vaksina kundër koronavirusit të cilat janë dhuratë nga Serbia.
Ministrja e Shëndetësisë në Mal të Zi, Jelena Boroviniq-Bojoviq konfirmoi se 2,000 dozat e vaksinës ruse Sputnik V do të mbërrijnë nga Serbia të mërkurën.
“Dy mijë doza tjera do të arrijnë në ditët në vijim. Qeveria ka kryer disa negociata dypalëshe në dy muajt e fundit për të siguruar vaksinën dhe rezultatet e para të tyre janë me Serbinë”, tha ajo.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se kishte rënë dakord me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, mbi detajet e pranimit të vaksinave.
Abazoviq i tha gazetës “Vijesti” se “Qeveria e Malit të Zi shpreh mirënjohje të thellë për këtë gjest njerëzor”.
Ministrja e Shëndetësisë ka bërë të ditur se Mali i Zi pret furnizim me vaksinën ruse, e cila është siguruar nga negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë. Sipas saj, Mali i Zi do të furnizohet edhe me vaksinën kineze dhe të gjermano-amerikane Pfizer/BioNtech.
Mali i Zi, i cili renditet i pari në rajon me 1,376 të infektuar me koronavirus për 100,000 banorë, është ndër vendet e fundit në rajon që fillon imunizimin kundër COVID-19. /GazetaSinjali/