image Serbët vendosën për largim nga institucionet e Kosovës, reagimet pas situatës së krijuar në Veri

Politikë

Serbët vendosën për largim nga institucionet e Kosovës, reagimet pas situatës së krijuar në Veri

news image

Krerët shtetërorë të Kosovës u kanë bërë thirrje serbëve të mos jenë pre e atyre që i kanë cilësuar manipulime nga ana e Serbisë, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka konsideruar dorëheqjet si veprime të Serbisë me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani ka thënë se autoritetet e Kosovës do të marrin hapa për të garantuar sigurinë publike “në çdo cep të territorit të saj, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

“Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar të shtunën të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos braktisin institucionet e Kosovës. Ai e ka bërë këtë thirrje disa orë pas vendimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, që të largohet nga institucionet e Kosovës.

“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.

“Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë vendosur që të mos jenë më pjesë e institucioneve të Kosovës. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.

Lista Serbe ka nisur paralajmërimet për largime të tilla, pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje. Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mbështetur vendimin.

Petkoviq ka thënë se synimi i serbëve është që “me vendimin e tyre të vihen në mbrojtje të procesit të Brukselit, para së gjithash të Asociacionit të komunave serbe, si i vetmi mekanizëm i garantuar për ndërtimin e të drejtave kolektive të popullit serb” në Kosovë.

Thirrja e Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell ka telefonuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq lidhur me situatën e tensionuar në veri të vendit.

Borrell ka lëshuar një deklaratë, në të cilën u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.

Borrell i kërkoi Kosovës që të zgjatin menjëherë procesin e riregjistrimit të automjeteve duke e pezulluar kështu edhe vendimin për ndërshkimin e automjeteve me targa KM.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”.

Në deklaratën e lëshuar nga Borrell thuhet se BE-ja i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Edhe o dërguari special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka reaguar për gjendjen që është krijuar në veri të vendit.

Lajçak ka shkruar se është plotësisht dakord me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, i cili ka thënë se Serbia e Kosova duhet të tregohen të përmbajtshme dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Zëvendëskryetari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, duke folur për situatën e krijuar në veri të Kosovës, ka deklaruar se Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, Geoana ka thënë se ka biseduar edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak.

Ai po ashtu ka deklaruar se NATO dhe KFOR-i janë të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj, në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

/GazetaSinjali/