image Serbët miratojnë deklaratë për largimin nga institucionet e Kosovës nëse nuk ka zgjidhje për targa
[wp-story id="814678"]

Politikë

Serbët miratojnë deklaratë për largimin nga institucionet e Kosovës nëse nuk ka zgjidhje për targa

news image

Në një seancë të përbashkët të kuvendeve komunale të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës më 24 gusht, unanimisht u miratua një deklaratë përmes së cilës parashihet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, nëse nuk arrihet një kompromis për të gjetur zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.

Komunat në veri të Kosovës, të banuara me serbë janë: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

“Nëse nuk arrihet një zgjidhje kompromisi, ne përfaqësuesit politikë të serbëve, së bashku me bashkëpunëtorët tanë do të nisim procesin e largimit nga të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet qendrore dhe lokale, e deri te gjykatat, policia dhe prokuroria, që shkatërron plotësisht procesin e Brukselit”, tha kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërxhan Milosavleviq.

Në këtë takim morën pjesë liderët e Listës Serbe – partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë – Goran Rakiq, Igor Simiq, Slavko Simiq, kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës sipas sistemit të Kosovës, dhe krerët e katër organeve të përkohshme komunale, që funksionojnë sipas sistemit serb.

Në takim u diskutua për situatën e sigurisë dhe atë politike, përkatësisht për “vendimet e njëanshme të autoriteteve qendrore në Prishtinë”.

Në deklaratë u tha se Qeveria e Kosovës po shkel të drejtat e komunitetit serb, po shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe po pamundëson krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Po ashtu, në deklaratë u theksua se pala kosovare po cenon paqen dhe sigurinë e pjesëtarëve të komunitetit serb.

Më 22 gusht, Lista Serbe po ashtu kishte kërcënuar me largim nga institucionet nëse nuk gjendet një zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.

Këto dy vendime të Qeverisë së Kosovës nxitën pakënaqësi në mesin e serbëve lokalë, të cilët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht. Pas heqjes së barrikadave, Qeveria e Kosovës u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve deri më 1 shtator.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 18 gusht, në përpjekje për të gjetur zgjidhje që do të mundësonte tejkalimin e tensioneve. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e Brukselit nuk arritën marrëveshje.

Përpjekjet për të bindur palët që të gjejnë zgjidhje po vazhdojnë. Në këtë kuadër, në Prishtinë po zhvillojnë takime me përfaqësuesit politikë të Kosovës, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kryeministri Kurti ka thënë se në takimin e Brukselit, Kosova ka shprehur gatishmërinë është për heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje nëse Serbia bën të njëjtën gjë. Ndërkaq, Vuçiq ka deklaruar më herët se të gjitha propozimet e Serbisë janë refuzuar nga Kurti.

Qeveria e Kosovës mori vendimet për targat dhe dokumentet serbe në qershor dhe vendimi për dokumentet u zbatua për disa orë më 1 gusht, derisa u hoqën barrikadat.

Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.

/GazetaSinjali/