Bob Menendez, njëri nga senatorët amerikanë që njihet si mbështetës i fuqishëm i Kosovës në raport me Serbinë dhe procesin e dialogut, u shpall fajtor për 16 akuza të lidhura me një skemë ku ai merrte ryshfet në këmbim të ndihmës ndaj qeverive të huaja.
Gjatë një sesioni të Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Menendez kishte kritikuar qasjen amerikane në raport me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “jo të gjitha palët po dialogojnë me mirëbesim”.
Ai kishte kritikuar politikën amerikane se nuk po ushtron presion adekuat ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sipas tij po vazhdonte të përqafonte narrativa nacionaliste.
Senatori demokrat madje deklaronte se nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Srpska, sikurse në Bosnje e Hercegovinë.
Por çfarë ndodhi?
Ish-kreu i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa avokatët e tij ishin përpjekur të argumentonin se dhuratat që ai pranoi nuk kualifikoheshin si ryshfet, sepse prokurorët nuk kishin arritur të provonin se ai ndërmori ndonjë veprim specifik si rezultat i marrjes së tyre.
Avokatët e Menendez, siç raportoi prestigjiozja britanike, BBC, janë përpjekur t’ia kalonin fajin gruas së Menendez, Nadine Arslanian Menendez, duke e portretizuar atë si një person me probleme financiare, e cila shpresonte të “merrte para dhe asete në çdo mënyrë që të mundte”.
Gruaja e Menendez gjithashtu përballet me akuza për korrupsion, por gjyqi i saj u vonua në mënyrë që ajo t’i nënshtrohej trajtimit të kancerit të gjirit.
Ajo, po ashtu, ishte deklaruar e pafajshme.
Dy biznesmenët, Wael Hana dhe Fred Daibes, janë duke u gjykuar, po ashtu, me akuzat se i janë afruar senatorit për ta bindur që të ndihmojë ilegalisht Qeverinë e Egjiptit dhe të sigurojë miliona dollarë prej një fondi të Katarit për investime.