image Senati amerikan rinis punën pas pauzës gati dymujore

Botë

Botë/ Senati amerikan rinis punën pas pauzës gati dymujore

news image

Senatorët amerikanë u rikthyen në Uashington për herë të parë qysh në muajin mars, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Rreth gjysma e 100 senatorëve janë 65 vjeç ose më të vjetër dhe ka pasur shqetësime se ata mund të jenë në rrezik më të madh nga kontraktimi i virusit ngjitës.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e mbrojti vendimin për të rinisur punën, duke thënë se është e rëndësishme që senatorët t’i mbështesin punonjësit shëndetësorë, punonjësit e dyqaneve ushqimore dhe shumë amerikanë të tjerë që bëjnë punë thelbësore.

Por, udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, tha se nuk është e dobishme që McConnell ka thirrur Senatin, për të ndjekur, siç tha ai, agjendën politike republikane.

Demokratët dhe republikanët pritet të diskutojnë një legjislacion të ri për rimëkëmbjen nga koronavirusi, shkruan REL.

Demokratët duan që legjislacioni të përfshijë deri në 1 trilion dollarë ndihmë për qeveritë shtetërore dhe lokale, ndërsa republikanët kërkojnë mbrojtje për bizneset, si kusht për miratimin e çdo ligji.

Dhoma e Përfaqësuesve, e cila udhëhiqet nga demokratët, mbetet e mbyllur, por po shqyrton një plan për të lejuar mbledhjet e komiteteve që do të shkruajnë ligje./Gazeta Sinjali/