image Selimi prezanton strategjinë për sundimin e ligjit

Kosovë

Selimi prezanton strategjinë për sundimin e ligjit

news image

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka prezantuar në një konferencë për medie Projekt Strategjinë për Sundimin e Ligjit, për periudhën 2021-2025, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tij, strategjia përmban katër objektiva: fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë; fuqizimi i drejtësisë penale; fuqizimi i qasjes në drejtësi dhe fuqizimi i luftës anti-korrupsion.

Selimi ka sqaruar se janë mbajtur 45 takime e mbi 100 pjesëmarrës nga gjyqësori, prokuroria, akademia, shoqëria civile e të gjitha institucionet tjera të involvuara në sferën e sundimit të ligjit.

“Strategjia që po e shpalosim sot, është produkt i një procesi të gjatë dhe të detajuar – procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Ky proces, i cili filloi para disa vitesh në Qeverinë Haradinaj, u zhvillua në tri faza: në fazën e parë u bënë disa analiza paraprake të cilat identifikuan çështjet kryesore të cilat duhej të analizoheshin më tej. Më pas, në fazën e dytë, u analizuan këto probleme në katër kapituj dhe u prodhuan gjithsej 16 dokumente të politikave, me ekspertizë të jashtme e vendore që u mundësua nga partnerët tanë – Unioni Evropian, Ambasada Amerikane, Ambasada Britanike dhe UNDP. Përmes kësaj faze, ky proces u mundua që të diagnostifikojë secilin problem që sot shkakton humbjen e besimit të qytetarëve në drejtësi, si rezultat i ngecjeve në vënien e drejtësisë”, ka sqaruar ai, përcjell ekonomiaonline.

Ai ka thënë gjithashtu se “secili prej këtyre 16 dokumenteve të politikave, përveç që ka analizuar thellësisht problemet, ka dhënë prodhuar edhe një numër të madh të rekomandimeve”.

Ato janë diskutuar në më se 45 takime, me mbi 1000 pjesëmarrës nga gjyqësori, prokuroria, akademia, shoqëria civile e të gjitha institucionet tjera të involvuara në sferën e sundimit të ligjit”, u shpreh Selimi.

Në kuadër të objektives së parë, Selimi tha se ka propozuar masa konkrete për të rritur llogaridhënien, efikasitetin, integritetin dhe profesionalizmin në gjyqësor dhe prokurori.

“Këtu janë propozuar masa kyçe si vettingu në drejtësi, Ligji veçantë për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë, plani i veçantë për Gjykatën Themelore në Prishtinë, themelimin e Gjykatës Komerciale, ndryshimet në përbërjen e KGjK-së dhe KPK-së”, u shpreh tutje Selimi.

/Gazeta Sinjali/