image Selimi prezanton projektligjin e ri për Agjencinë Kundër Korrupsion

Kosovë

Selimi prezanton projektligjin e ri për Agjencinë Kundër Korrupsion

news image

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka prezantuar para mediava një projektligj i cili sipas tij do ta reformojë Agjencinë Kundër Korrupsionit, shkruan Gazeta Sinjali.

Selimi përmes një konference për media, njoftoi se, kjo agjenci do të quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Selimi tha se ky projektligj do ta ndryshojë kornizën ligjore të kësaj agjencie.

Është një projektligj i cili e prek rregullimin e Agjencisë Kundër Korrupsion – që ende quhet kështu derisa të hyjë ligji në fuqi – e cila do të quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit… Përkundër shumë aktiviteteve, Ministria e Drejtësisë fokus të veçantë i ka dhënë kornizës ligjore dhe normative”, tha Selimi.

Ai tha se për këtë projektligj i kanë marrë parasysh edhe rekomandimet e organizatave të ndryshme vendore.

Grupi punues në përpilimin e draftit ka marrë parasysh komentet dhe rekomandimet nga mekanizma dhe raporte të ndryshme, qofshin këto organizata vendore apo ndërkombëtare… Janë të trajtuara të gjitha çështjet që u referohen pengesave në zbatim nga ana e organit zbatues dhe atyre çështjeve që nuk kanë qenë të mbuluara me dispozita përkatëse ligjore”, tha Selimi.

Ndërsa drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha se me projektligjin e ri kjo agjenci do të ketë më shumë funksion parandalues sesa hetues.

Ai tha se me ndryshimet e bëra, do të shtohet edhe lista e zyrtarëve që do të duhet ta deklarojnë pasurinë e tyre./Gazeta Sinjali/