image Sekretari amerikan i Thesarit: Bisedimet SHBA-Kinë mbi tregtinë kanë ngecur

Botë

Sekretari amerikan i Thesarit: Bisedimet SHBA-Kinë mbi tregtinë kanë ngecur

news image

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar të enjten për “Fox News” se bisedimet tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë “ngecur”, pavarësisht marrëveshjes së arritur në fillim të këtij muaji për uljen e tarifave.

“Mendoj se kur marrim parasysh rëndësinë e bisedimeve, ndërlikueshmërinë e tyre, kjo do të kërkojë që udhëheqësit e të dyja vendeve të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin,” tha Bessent.

Në fillim të këtij muaji, SHBA-ja dhe Kina ranë dakord për uljen e tarifave të vendosura ndaj importeve të njëra-tjetrës, si rezultat i negociatave në Zvicër. Në kuadër të marrëveshjes, disa tarifa specifike u anuluan, ndërsa tarifa të tjera u pezulluan për 90 ditë.

Bessent bëri të ditur se bisedimet për një marrëveshje të mëtejshme kanë humbur momentumin, por vazhdojnë ende.

“Besoj se do të mbajmë më shumë bisedime me Kinën gjatë javëve në vijim dhe besoj se mund të kemi një telefonatë midis presidentit Trump dhe presidentit kinez Xi Jingping,” deklaroi ai.

Ai shtoi se vendet kanë “marrëdhënie shumë të mira” dhe se është optimist se “kinezët do të ulen në tavolinë kur presidenti Trump t’i bëjë të ditura preferencat e tij”.

Sipas marrëveshjes së arritur, SHBA-ja uli tarifat mbi mallrat kineze nga 145% në 30%, ndërsa tarifat hakmarrëse të Kinës ranë nga 125% në 10%.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/