Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku i ka kërkuar njohjen e ndërsjelltë me Kosovës, raporton Novosti.
Në këtë letër, Blinken shkruan se SHBA ka për qëllim që ta shohë Kosovën dhe Serbinë duke arritur marrëveshje.
“SHBA-ja është e përkushtuar për marrëdhëniet tona afatgjate. Ne ndajmë vizionin e një Serbie demokratike, stabile, prosperuese dhe demokratike në hapin drejt anëtarësimit në BE. Qëllimi afatgjatë i SHBA-së ka qenë ta shoh Serbinë dhe Kosovën të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqëndruar në njohjen reciproke”, shkruan Blinken në letrën e dërguar Vuçiqit.
Blinken në letrën drejtuar Vuçiqit ka shkruar edhe diçka me stilolaps: “Unë i mbaj në mend plotësisht bisedat tona të mira dhe po pres me padurim rinovimin e tyre.”
Se mori letër nga Blinken, Vuçiq e zbuloi një ditë më parë, duke vlerësuar se “duke mos llogaritur historinë e njohjes reciproke me Kosovën”, mesazhi ishte “kuptimplotë dhe i mirë” në të gjitha aspektet e tjera, për të cilat ai falënderoi Blinkenin.