image S’e zbatoi vendimin e Gjykatës Komerciale, Prokuroria nis hetimet ndaj ‘VisaMetric’

Drejtësi

S’e zbatoi vendimin e Gjykatës Komerciale, Prokuroria nis hetimet ndaj ‘VisaMetric’

news image

Dy ditë pasi u dorëzua kallëzim penal për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Komerciale, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj kompanisë ‘VisaMetric’, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila ka bërë me dije se Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Referuar kërkesë së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Ulaj.

Kujtojmë që Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës ia kishte ndaluar kompanisë ‘VisaMetric’ që t’ua merrte qytetarëve nga 30 euro për shërbimin postar të dërgimit të pasaportës. Edhe përkundër këtij vendimi, ka pasur raportime se ‘VisaMetric’ edhe dje po vazhdonte të merrte shumën 30 euro.

Kjo, ani pse shkalla e parë dhe shkalla e dytë e kësaj gjykate kishin marr vendim që t’ia ndalonin “VisaMetric” që t’i detyrojë qytetarët të paguajnë nga 30 euro për shërbime postare,.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka urdhëruar kompaninë ‘VisaMetric’ që të rimbursojë qytetarët për “pagesa të paarsyeshme”, si për shërbimin e dërgesës me postë të pasaportës në shumën prej 30 eurosh. Kjo pasi qytetarët dërguan një mori kërkesash në drejtim të MINT, për ta trajtuar rastin.

Ndryshe, më 13 shtator 2022, ambasada gjermane lëshoi njoftimin se aplikimi për vizë do të mund të bëhet vetëm nëpërmjet VisaMetric, kompani e cila do t’i dërgojë më pastaj aplikacionet te ambasada për ekzaminim.

/GazetaSinjali/