Gjykata Themelore në Pejë ka nxjerrë aktvendim për caktimin e masës së sigurisë ndaj Sergio Januzit, i dyshuar për rastin tragjik, që ndodhi pasditen e së mërkurës në qytetin e Pejës. 22-vjeçari i dyshuar për vrasjen e dhëndrit të familjes, Ilir Osmanit, është dërguar në paraburgim për një muaj, raporton Gazeta Sinjali.
Pas seancës dëgjimore të mbajtur të enjten, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit ndaj Jonuzit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sinjali mëson se i dyshuari Jonuzi në seancë ka deklaruar shkurt se nuk e ka pasur për qëllim që ta privojë nga jeta viktimën dhe është i penduar për atë që ka ndodhur.
Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga Sinjali thuhet se nëse Jonuzi do të mbetej në liri, ekziston rreziku i ikjes, pasi i njëjti pasi e kishte goditur me veturë të ndjerin ditën kritike, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, derisa më pas është arrestuar nga Policia.
Masa e paraburgimit është vlerësuar nga Prokurori i Shtetit si e duhura edhe për faktin që i dyshuari është shtetas i Shqipërisë dhe ekziston mundësia që mund të arratiset dhe të pengojë kështu rrjedhën normale të procesit.
Po ashtu, kërkesa është bazuar edhe në faktin që i dyshuari mund të ndikojë te dëshmitari me të cilin ndodhej në veturën në momentin tragjik, kur dyshohet se kishte goditur qëllimisht dhëndrin e familjes, tashmë të ndjerë – por edhe te dëshmitarët e tjerë.
Prokurori ka marrë parasysh edhe faktin që palët kanë lidhje familjare dhe kësisoj mund të ketë rrezik që raportet e tyre të acarohen dhe të përshkallëzohen edhe më tej.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.