Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njoftoi të mërkurën vonë se e ka shkarkuar ministrin e Financave, Christian Lindner, gjë që mund ta minojë koalicionin qeverisës trepartiak, i cili varet nga partia pro-biznesit e Lindnerit.
Scholzi e bëri të ditur vendimin përmes një konference për media, pas disa javësh mospajtimesh në mesin e partnerëve të koalicionit për gjetjen e një mënyre për ta forcuar ekonominë e dobësuar të vendit.
Ai gjithashtu njoftoi se do të kërkojë votëbesim në janar.
“Ndihem i detyruar ta ndërmarr këtë hap për ta parandaluar dëmtimin e vendit tonë. Ne kemi nevojë për një qeveri efektive, e cila e ka fuqinë për të marrë vendime të nevojshme për vendin tonë”, tha Scholz.
Lindner i kishte kundërshtuar rritjet tatimore apo ndryshimet në kufizimet e rrepta të Gjermanisë ndaj futjes në borxh.