Politikani gjerman dhe Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, ka thënë sot se, nëse një Bosnje multi-etnike shtyhet drejt shpërbërjes, kjo do të ketë në mënyrë të pashmangshme një ndikim në konflikte të tjera të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor, si ai midis Serbisë dhe Kosovës.
I dërguari për paqe në Bosnje dhe Hercegovinë tha për Reuters se marrëveshja e paqes që i dha fund luftës së vendit në vitet 1990 është në rrezik të shpërbëhet nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa për të ndaluar separatistët serbë.
Ai i referohej lëvizjeve të udhëheqjes serbe në Bosnjë që synojnë zhbërjen e institucioneve kryesore shtetërore si forcat e armatosura të përbashkëta, autoriteti i taksave indirekte dhe organi më i lartë gjyqësor, si dhe institucione të tjera.
“Trazirat në këtë rajon do të ndikojnë gjithashtu në çështjen e marrëdhënieve problematike midis Serbisë dhe Kosovës në të njëjtën mënyrë ose të ngjashme”, tha Schmidt.
Sipas tij, Serbia duhet të ketë interes që Bosnje-Hercegovina të qëndrojë bashkë sepse rruga e Beogradit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian siç thotë ai, mund të ndikohet rëndë nga paqëndrueshmëria në Bosnje. Kurse i pyetur nëse ekzistonte një mundësi reale e shpërbërjes së Bosnjës, Schmidt tha se nuk është rrezik i afërt.
“Por nëse degradimi i traktatit të Dejtonit vazhdon… ekziston rreziku që vendi të shpërbëhet” shtoi ai.
Marrëveshja e paqes e Dejtonit e sponsorizuar nga ShBA-të dhe e nënshkruar në vitin 1995, i dha fund luftës midis serbëve të Bosnjës, kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë, duke e ndarë vendin në dy rajone autonome – Republika Serbe e mbizotëruar nga serbët dhe Federata e përbashkët, nga kroatët dhe boshnjakët.
Kurse, Schmidt tha se ai ende shpreson që presioni ndërkombëtar do t’i lëviz zhvillimet në një “drejtim të arsyeshëm”, vija e kuqe do të ishte tërheqja e Republikës Serbe nga forcat e përbashkëta të armatosura dhe krijimi i ushtrisë së saj të veçantë brenda Bosnjës, siç njoftoi lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik.
“Nëse kjo rezulton të jetë e vërtetë… atëherë ne në komunitetin ndërkombëtar do të duhet të mendojmë shumë, shumë, shumë seriozisht se si mund të ecim përpara” tha Schmidt.
Ai shtoi se përdorimi i fuqive të tij gjithëpërfshirëse për të shkarkuar zyrtarë dhe për të vendosur ligje do të ishte zgjidhja e fundit. /GazetaSinjali/