image SBASHK-u thotë se pas protestave nuk përjashtohen grevat e përgjithshme

Arsim

SBASHK-u thotë se pas protestave nuk përjashtohen grevat e përgjithshme

news image

Edhe përkundër protestës të organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, më 4 dhjetor, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë reflektuar ndaj kërkesave të tyre, thonë përfaqësuesit e kësaj sindikate.

Udhëheqësit sindikal thanë se në rast se edhe më tutje neglizhohen nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë, do të merren hapat sindikal, duke mos përjashtuar edhe grevat e përgjithshme.

Ditë më parë përfaqësues të Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre, e që njëra ndër to është nënshkrimi i Kontratës së re Kolektive, rritja e pagave, dhe votimi i ligjit për skemat pensionale.

Në mungesë të dialogut nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, kjo sindikatë thotë se është detyruar të angazhoi një ndërmjetësues, ashtu siç e parasheh ligji.

Nënkryetarja e sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, i tha Radio Kosovës, se edhe pas protestës Ministria e Arsimit dhe Qeveria i kane neglizhuar.

“Edhe pas protestës, deri sot nuk ka pasur reflektim nga e ana e ministrisë se Arsimit. Ditën e mërkure me 11 dhjetor, sindikata e Arsimit ka angazhuar një ndërmjetmes ligjor ,ashtu si e kërkon procedura. Tash do të presim sipas afatit ligjor, se cilat do të jenë rezultatet pas angazhimit të ndërmjetësuesit”, ka thënë ajo.

Shala, tutje shtoi se në rast se edhe kjo përpjekje për të arritur dialog me ministrinë dhe Qeverinë, përmes ndërmjetësuesit ligjor nuk do të sjellë rezultate, kjo sindikatë do të vazhdojë me hapat sindikal, duke përfshirë edhe grevat në tërë sistemin arsimor.

“Në rast se nuk do të këtë reflektim edhe pas angazhimit të ndërmjetësuesit, ne do ta mbledhim Këshillin Drejtues të SBASHK-ut, si organi me i lartë në mes të dy kongreseve. Në atë mbledhje do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm. Asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e ndërmarrjes së aktiviteteve me të renda sindikale, si greva e përgjithshme që e patëm në vitin 2022 në terë sistemin arsimor”, ka thënë Shala

SBASHK-u në vazhdimësi ka ngritur akuza ndaj Qeverisë për presion ndaj sindikatës dhe mungesë të gatishmërisë për dialog. Akuza ka pasur ndaj Qeverisë edhe për anulimin e kontratës kolektive dhe mungesë të gatishmërisë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re.

/GazetaSinjali/