Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është shprehur e kënaqur me mbarëvajtjen e mësimit nga largësia gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, kjo sindikatë ka përgëzuar ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, për siç thonë ata, angazhimin në shërbim të arsimit, duke i shprehur përkrahje të plotë në këtë angazhim.
“SBASHK-u ka informuar Ministren Bajrami se janë duke vazhduar takimet nga larg me Kuvendet sindikale komunale dhe të Universiteteve dhe se temë kyçe e bashkëbisedave në këto takime është përkushtimi dhe angazhimi në procesin mësimor nga larg dhe komunikimi i vazhdueshëm me nxënësit dhe prindërit në shërbim të këtij misioni”, thuhet në komunikatë.
Ky angazhim, sipas SBASHK-ut, është për çdo lavdatë. Kjo sindikatë gjithashtu ka njoftuar se janë në komunikim me psikologë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar nxënësit, prindërit dhe kolegët e tyre për menaxhimin e kësaj situate.
“SBASHK-u ka siguruar Ministren Bajrami se gjithë të punësuarit në sistemin arsimor të Kosovës do të vazhdojnë me angazhimin dhe përkushtimin në shërbim të arsimit në Kosovë”, njofton Sindikata e Arsimit.
Për angazhimin dhe kontributin e tyre për procesin e mësimit online, nga SBASHK-u thonë se janë përgëzuar edhe nga ministrja Bajrami.
Kujtojmë që mësimi online në Kosovë filloi më 23 mars, 12 ditë pasi Qeveria Kurti mori vendim për ndërprerjen e mësimit në shkolla, si masë preventive për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit. Mësimi nga largësia fillimisht u zhvillua për klasët 1 -5 për të vazhduar më 30 prill edhe për klasët 5 dhe 9, si dhe në gjuhën turke e boshnjake.
Ndryshe, në Universitetin e Prishtinës mësimi online filloi qysh pesë ditë pas vendimit të qeverisë për ndërprerje të mësimit në objekte shkollore./Gazeta Sinjali/