image SBASHK-u: Mësimi mund të shtyhet edhe më shumë, shkollat nuk kanë dezinfektues për duar

Arsim

SBASHK-u: Mësimi mund të shtyhet edhe më shumë, shkollat nuk kanë dezinfektues për duar

news image

Procesi mësimor i vitit të ri shkollor është vendosur që të fillojë më 14 shtator, por rikthimi i nxënësve në shkolla ka shumë mundësi që të shtyhet edhe më shumë. Kështu ka paralajmëruar sekretari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Ymer Ymeri.

Ai ka thënë se shtyrja e vitit të ri shkollor është bërë bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore që të ruhen nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa ka theksuar se mund të vendoset për një shtyrje tjetër në rast se situata nëpër shkolla nuk përmirësohet.

“Shumë sinqerisht iu kemi thënë se nëse deri më datë 14 shtator na gjen e njëjta situatë sikur sot, përsëri apeli ynë do të jetë të mos fillojë mësimi për shkak se e shohim humbje më të madhe jetën e njerëzve sesa humbjen e procesit mësimor dhe nuk dëshirojmë që shkollat të jenë vatra të shpërthimit të epidemisë dhe përhapjes së saj. Dëshirojmë që të jenë vatra të diturisë”, ka thënë Ymeri për EO.

Teksa ka folur për çështjen e shtyrjes së fillimit të procesit mësimor për 14 ditë, Ymeri ka thënë se në asnjë shkollë nuk ka dezinfektues për duar. E kontraktimi me kompanitë ka thënë se u merr shumë kohë.

“Nëse të gjithë akterët angazhohen në mënyrë shumë serioze për t’i përmbushur kushtet që i ka dhënë IKSHPK-ja, mendoj që ia arrijmë. Shkollat nuk kanë dezinfektues për duar, u duhet një kohë me i kontraktu kompanitë që furnizohen me to. Pastaj nuk kemi një listë të mësimdhënësve rezervë. Këta mësimdhënës mund të sëmurën të hënën dhe ta kenë të pamundur të shkojnë në shkollë. Nuk kemi mësimdhënës rezervë të cilët mund t’i zëvendësojnë ata”, ka theksuar Ymeri.

Ymeri ka thënë sistemi online i zhvillimit të procesit mësimor nuk preferohet nga SBASHK-u. /Gazeta Sinjali