image SBASHK-u mban protestë nesër kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë

Kosovë

Pakënqësi/ SBASHK-u mban protestë nesër kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë

news image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), ka njoftuar se nesër në mesditë do të organizohet një protestë para ndërtesës së Kuvendit Komunal të Kamenicës për të kundërshtuar mbylljen e shkollave.

SBASHK-u përmes një reagimi thotë se kanë pritur dialog e mirëkuptim, ndërsa, kryetari i komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati do të ndjejë unitetin e SBASHK-ut.

“Kjo fillon që nga nesër kur në Kamenicë do të niset me veprime sindikale, pra me protesta duke filluar nga ora 12:30 minuta para ndërtesës së Kuvendit Komunal të Kamenicës. Pjesë e kësaj proteste do të jetë edhe kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini me stafin qendror dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe stafi nga qendra.”, thuhet në reagim.

Më tutje SBASHK-u thotë se ka pritur dialog dhe mirëkuptim për zgjidhjen e drejtë të gjendjes që sipas tyre është tepër e rëndë.

“Zhvilluam takime me Qëndronin, e ngritem çështjen edhe në MASHT duke kërkuar qëndrimin e tyre si institucioni më i lartë i arsimit dhe themelues i institucioneve arsimore, vizituam edhe shkollat e dënuara me mbyllje nga Qëndroni,  kërkuam  nga anëtarësia maturi. Kërkuam nga prindërit  angazhim, që çështja të zgjidhet si duhet dhe që me dialog të arrihet marrëveshje që Kastrati ta tërheq vendimin, bile për këtë vit, dhe çështja të ngritet pas krijimit të institucioneve qendrore pas votës së lirë më 6 tetor  dhe le të veprohet njëjtë nën tërë Kosovën, por me një Strategji të peshuar mirë… Pritja e SBASHK-ut ka kufi dhe tani  Kastrati do të përballet me veprimet unike të sindikatës sonë sepse punëtorët e arsimit  në Kamenicë janë pjesë e SBASHK-ut, e SBASHK është pjesë e përkrahur fuqishëm e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës më 11 milionë anëtarë dhe e Inernacionales Botërore të Arsimit më 31 milionë anëtarë”, thuhet në reagim.

SBASHK thotë se nuk do të hesht, “sepse në Kamenicë nuk po respektohen ligjet as institucionet qendrore e as zëri i prindërve, nxënësve e mësuesve, po fermani i Kastratit”./Gazeta Sinjali/